
Projekti:
Shoqata “Gender, Paqe e Siguri”, zhvilloi aktivitetin e hapur në Sheshin "Liria" Durrës, me qëllim ndërgjegjësimin dhe përcjelljen e mesazhit se gratë kanë zë dhe fuqi për të qenë faktorë ndryshimi dhe për të kontribuar në ndërtimin e shoqërive të sigurta e në paqe të qëndrueshme. 31 Tetor përkon me ditën e 22 vjetorit të miratimit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, "Gruaja, Paqja e Siguria".
Pjesëmarrja kuptimplote e grave në zgjidhjen e konflikteve, përpjekjet humanitare, proceset e paqes, ndërtimi i paqes, zgjedhjet, reformat në sektorin e sigurisë dhe proceset politike janë gjithashtu thelbësore për të ruajtur paqen. Shqipëria në Shtator 2018 arriti të miratonte për të parën herë një plan veprimi për zbatimin e kësaj Rezolute në Shqipëri, ndërhyrje kjo që padyshim u shoqërua më pas dhe me ndryshime dhe në zhvillime politike, ku Shqipëria këtë vit ka kryesuar Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara. Në muajt e fundit një grup pune i Ministrive të Linjës është duke përgatitur planin e dytë të veprimit për zbatimin e kësaj Rezolute dhe Shoqata "Gender, Paqe e Siguri" dhe Koalicioni "Gruaja, Paqja e Siguria" kanë paraqitur rekomandime konkrete, me synim zbatimin sa më efektiv të Axhendës "Gruaja, Paqja, Siguria". Ne vlerësojmë se duhet të punojmë më shumë për sigurinë njerëzore, e cila përfshin mundësinë për të shkuar në shkollë, për të marrë kujdes shëndetësor, për të punuar dhe për të patur qasje në drejtësi. Globalisht, gratë, fëmijët dhe të rinjtë përbëjnë rreth 80% të 65 milionë njerëzve të zhvendosur me forcë. Gratë dhe vajzat e zhvendosura përjetojnë ndërprerje në arsimimin dhe mjetet e tyre të jetesës dhe vlerësohet se 1 në 5 gra të zhvendosura kanë përjetuar dhunë me bazë gjinore dhe seksuale (SGBV).