10 dhjetor 1948 - 10 dhjetor 2018

Plot 70 vite ku Organizata e Kombeve të Bashkuara shënon çdo vit më 10 Dhjetor, ditën e të Drejtave të Njeriut, ditë kjo e cila kujton datën kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-ës ka miratuar në vitin 1948 Deklaratën Universale mbi të Drejtat e Njeriut.

Sipas OKB-ës, lëvizja për mbrojtjen e të drejtave të njeriut ka shënuar përparime të dukshme gjatë këtyre 70-viteve, por, fatkeqsisht, abuzimet me të të drejtat e njeriut vazhdojnë anë e mbanë botës. Prandaj, ky përvjetor i Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut, është një rast i mirë, jo vetëm për të lartësuar sukeseset e arritura, por edhe për t’u angazhuar rishtas ndaj respektimit dhe zbatimit të parimeve të përmbledhura në 30 artikujt e Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut. 

“Pa një angazhim të përbashkët të qytetarëve, në mbështetje dhe në mbrojtje të këtyre të drejtave njerëzore aty në rrethin ku jetojnë ata, atëherë presim më kot që këto të drejta universale të njeriut të zbatohen në botën më të gjërë”, ka theksuar Eleanor Roosevelt.

Deklarata Universale mbi të Drejtat e Njeriut na jep të drejtë, secilit prej nesh, jo vetëm që të mbrojmë të drejtat tona njerëzore, por edhe të drejtat e të tjerëve. Si një frymëzim për të mbështetur të drejtat e njeriut për veten dhe për të tjerët, në këtë 70-vjetor, Deklarata  Universale mbi të Drejtat e Njeriut, është një dokument i gjallë, sa universal për nga hapësira, aq edhe i rëndësishëm për çdo individ dhe shoqëri – njëkohësisht, sipas OKB-ës, ky është dokumenti më i përkthyeri në botë, në më shumë se 500-gjuhë të ndryshme.

Në këtë datë Koalicioni “Gratë Paqe Siguri” tërheq edhe një herë në vëmendje se:

Të Drejtat e Grave janë të Drejta të Njeriut!

Le të punojmë më shumë për zbatimin e Rezolutës 1325 “Gratë Paqe Siguri” në vendin tonë. Roli dhe vendi i grave në agjendat për sigurinë e paqen është po aq i rëndësishëm sa i burrave. Bashkohuni me ne për të patur më shumë gra të angazhuara në agjendat për paqen e sigurinë në vend, rajon dhe botë! 

Pas 18 vitesh Shqipëria ka një Plan Veprimi në zbatim të Rezolutës 1325.

Shoqëria Civile ka luajtur dhe luan një rol të rënësishëm, si gjatë procesit të hartimit ashtu dhe në zbatimin e Planit të Veprimit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi Gruan Sigurinë e Paqen. “Shoqata e Grave me Probleme Sociale”, tashmë “Shoqata Gratë Paqe Siguri”, si edhe Koalicioni për “ Gratë Paqe Siguri”, kanë qënë shtytës  kryesorë të strukturave shtetërore në hartimin e projekt planit për zbatimin e kësaj rezolute dhe vijojnë të jenë aktiv në angazhime të lidhura në vendin tonë.

Roli i shoqërisë civile në zbatim të Planit të Veprimit të Rezolutes i miratuar me VKM Nr. 524 datë 11.09.2018 parashikon, shprehimisht mbështetjen e Koalicionit të organizatave të shoqërisë civile për Rezoluten1325 të angazhuar në agjendën Gratë Paqe Siguri konsiston në:

·Ndërtimin e një platforme për realizimin e angazhimeve tona në këtë plan,

·Monitorimin dhe vlerësimin e realizimit të planit,

·Rritjen e ndërgjegjësimit të rolit të gruas, për Rezolutën 1325,

·Përmisimin e dokumentave të politikave për rritjen e ndërgjegjsimit për Rezolutën 1325,

·Inkurajimin e shkëmbimeve të eksperiencave në nivele rajonale, kombëtar e ndërkombëtare,

·Rritjen e pjesëmarrjes së grave në fushën e sigurisë brenda dhe jashtë vendit,

·Krijimin e një kuadri rregullator, që mundëson një mbrojtje dhe rehabilitim më të mirë të grave në fushën e paqes dhe sigurisë,

·Bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe institucione shtetërore, për zbatimin e Rezolutës 1325.

“Shoqata  Gratë Paqe Siguri” dhe Koalicioni për Rezolutën 1325, mbeten të përkushtuar në realizimin e e agjendës ‘Gratë Paqe Siguri” në vendin tone.

 

Përfshirja e më shumë grave në agjendat për sigurinë e paqen do të thotë më shumë siguri dhe paqe!

Më shumë siguri e paqe do të thotë më shumë respekt të të drejtave të njeriut!