Që prej vitit 1990 e deri më sot, ndryshimet ekonomike dhe shoqërore i kanë ekspozuar vajzat dhe gratë ndaj rrezikut të përjashtimit social. Ristrukturimi ekonomik pas përmbysjes së regjimit socialist solli papunësi masive të fuqisë punëtore dhe gratë u prekën më shumë se sa burrat nga ky fenomen. Pabarazia ekonomike mes burrave dhe grave u thellua duke rritur shkallën e varfërisë, kryesisht për femrat, e cila i vuri gratë nën varësinë ekonomike të bashkëshortëve. Për të zbutur efektet e varfërisë, shteti krijoi programin e ndihmës ekonomike për familjet në nevojë duke ofruar ndihmë të përmuajshme në para. Përveç shtetit, një rol të rëndësishëm në plotësimin e nevojave për shërbime sociale të grupeve të ndryshme kanë luajtur organizatat e shoqërisë civile, partnerët strategjikë, donatorët dhe organizmat ndërkombëtarë. Gjithashtu, janë rritur edhe kompetencat e pushtetit vendor, për t’iu përgjigjur nevojave të komunitetit. Shoqata "Gender Paqe Siguri" ka dhënë ndihmesën e vet në ofrimin e shërbimeve në nivel komunitar, atje ku janë përfituesit dhe lindin nevojat e tyre, për të mbështetur dhe ndihmuar gratë me probleme sociale, familjet e tyre dhe komunitetin ku ato jetojnë. Ndihma e shoqatës ndaj grave ka pasur si objektiv kryesor synimin që gratë të jenë më të pavarura ekonomikisht dhe të përfshihen si të barabarta me burrat në tregun e punës dhe në vendimmarrjen politike në të gjitha sferat e shoqërisë. Ndër të tjera, në kuadër të implementimit të projektit “Rezoluta 1325, të drejtat e grave nga koncepti në realitetin shqiptar” paraqiti nevojën për fokusin e Shoqatës në aspekte të menaxhimit të axhendës “Gruaja, Paqja, Siguria”. Në mënyrë që të vazhdojë punën për fuqizimin e grave me probleme sociale, shoqata ka hartuar këtë strategji për pesë-vjeçarin e ardhshëm, për vitet 2023-2027. Shoqata Gender Paqe Siguri, e emërtuar si “Gender, Paqe, Siguri” zotohet që në kuadër të nevojave të arritjes së barazisë gjinore në komunitetet tona, me në vëmëndje të veçantë në vijimin e punës për axhendën “gruaja, paqja, siguria” duke e evidentuar si një dosmosdoshmëri të përmirësimit të situatës së barazisë gjinore në komunitetet tona.

Synimi i Strategjisë është të sigurojë një politikë të qartë afat-mesme për fuqizimin e grave, në fusha që lidhen me fuqizimin ekonomik, me përfaqësimin politik si dhe luftën kundër dhunës në familje.

Kjo Strategji synon rritjen e kapacitetit të shoqatës:

- për të rritur përfaqësimin politik të grave në procesin e vendimmarrjes publike;

- për fuqizimin ekonomik të grave në nevojë;

- për të ofruar shërbime sociale me bazë komunitare për gratë në nevojë;

- për pakësimin e dukurisë së dhunës në familje;

- për përfshirjen e grave në çështje të paqes dhe sigurisë.

 

 

Bashkëlidhur linku i Strategjisë 5 vjeçare e Shoqatës "Gender, Paqe e Siguri" 2023-2027: https://www.siguria-paqja.al/sites/default/files/Strategjia%20SHGPS%2020...