Më 28 janar 2019 Shoqata e Grave me Probleme Sociale, tashmë Shoqata ‘Gruaja, Siguria Paqja’, në kuadër të projektit “Re-think Experiment, Solution”, mbështetur financiarisht nga UN Women, Fondi për Barazinë Gjinore, organizoi aktivitetin e radhës për të diskutuar mbi arritjet e Koalicionit ‘Gratë, Paqe, Siguri’ në Shqipëri përfshirë projekt-strategjinë orientuese të tij,

forcimin e vizibilitetit të këtij Koalicioni si dhe planet e punës për Agjendën ‘Gratë, Paqja, Siguria’ në vend, përfshirë edhe ndërveprimin dhe bashkëpunimin me institucionet publike.Përmes një pune të thelluar të Grupeve Tematike të Punës të 32 organizatave pjesë e Koalicionit ‘Gratë, Paqe, Siguri’ me shtrirje në gjithë teritorin e Shqipërisë, me anë të metodave inovative si dhe mbështetjes së ekspertëve të fushave të monitorimit, advokimit dhe ndërgjegjësismit, Koalicioni hartoi një projekt-strategji orientuese që synon të shërbejë si orientuese e angazhimeve të tij në vijim. Projekt strategjia orientuese iu prezantua pjesëmarrësve si dhe autoriteteve të institucioneve shtetërore nga Kuvendi, Ministria e Brendshme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Drejtësisë si autoritete shtetërore zbatuese dhe shtytëse të Planit Kombëtar të Veprimit për Rezolutën 1325(2018-2020), si dhe organizata që kanë qenë dhe janë mbështetëse në veprimtarinë tonë si UNWomen, Fondi për Barazinë Gjinore.

Zj.Dhurata Çupi, Kryetare e Aleancës së Grave Deputete si pjesë e Panelit, theksoi faktin se gruaja ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në cështjet e paqes, sigurisë dhe të vendimmarrje. Më tej shtoi se ka dhunë të shtuar në shoqëri dhe citoi një raport të OSBE-së  ku “ 92% e grave përballen me dhunë psikologjike në vend”, ndërsa në raportin për vitin 2017 të KLD-së lidhur me dhunën në familje kemi një shtim të numrit të padive lidhur me këtë ceshtje. Në përfundim Zj. Çupi u shpreh për situate dëshpëruese në zonat rurale dhe u kerkoi shoqerisë civile të zhvillojë veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e vendit, jo vetëm në Tiranë.

Orientimet Strategjike të Koalicionit ‘Gratë, Paqe, Siguri’ përfshijnë vizionin, qëllimet dhe objektivat strategjike për tre fusha prioritare të Koalicionit, ndërgjegjësimi publik, monitorimi dhe avokimi për zbatimin e Rezolutës 1325 të Planit Kombëtar të Veprimit dhe zhvillimin institucional të vetë Koalicionit për të mundësuar arritjen e qëllimeve dhe objektivave për dy vjecarin në vazhdim. Ky dokument synon të jetë jo vetëm një mjet i rëndësishëm për zhvillimin institucional dhe promovimin e Koalicionit, por edhe orientues për planifikimin e aktiviteteve, projekteve e programeve të Koalicionit. Përmes një bashkëpunimi më të fortë dhe të drejtpërdrejtë me institucionet synohet që ky dokument të mos mbetet thjesht një dokument formal por të jetë një kontribut real i Koalcionit në çështjet e paqes dhe sigurisë edhe nga këndvështrimi gjinor.

Qëllimi thelbësor i aktiviteti ishte rritja e vizibilitetit të anëtarëve të Koalicionit dhe sjellja së bashku përfaqësuesve të ndryshëm të nivelit qendror dhe lokal, trupa diplomatikë, donatorë, ekspertë, organizata të shoqërisë civile, media dhe akademikë, për të diskutuar mbi agjendën kombëtare për Gruan, Paqen dhe Sigurinë, si dhe rëndësinë e planifikimit të kontributit të shoqërisë civile dhe hapësirat e dhënies së kontributit të shoqërisë civile në zbatimin e saj në Shqipëri.

Koalicioni ‘Gratë, Paqe, Siguri’ synon të jetë një strukturë e rëndësishme, në rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe në mënyrë të veçantë aktorëve shtetërore dhe jo-shtetërore dhe një forcë aktive në ndikimin e politikave të qeverisë shqiptare për paqen dhe sigurinë, duke siguruar një qasje të sigurisë njerëzore të përqendruar tek njerëzit, për paqen dhe zhvillimin e qëndrueshëm.