Më 26 maj, u prezantua një nismë e re për të siguruar mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të grave, kryesisht në fushën e paqes dhe sigurisë në Shqipëri. Ky projekt i mbështetur nga Fondi për Barazi Gjinore i UN Women ka për qëllim t’i hapë rrugë krijimit të një plani veprimi dhe strategjie për zbatimin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, duke angazhuar politikbërës, shoqërinë civile dhe publikun e gjerë.

Projekti “Rezoluta 1325, të Drejtat e Grave nga koncepti në realitetin shqiptar” do të zbatohet nga Shoqata e Grave me Probleme Sociale Durrës në bashkëpunim me organizatën suedeze “Operation 1325”.

Në prezantimin e këtij projekti, në Tiranë, morën pjesë përfaqësues të UN Women Albania, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Policisë së Shtetit, përfaqësues të ambasadave hollandeze dhe suedeze, drejtues dhe përfaqësues të pushtetit vendor të qarqeve Berat, Vlorë, Shkodër, Lezhë, Kukës dhe Tiranë, ku do të zbatohet ky projekt, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe medias.  

Drejtuesja ekzekutive e SHGPS-së Bajana Çeveli duke theksuar rëndësinë e Rezolutës 1325 ftoi të gjithë pranishmit të jenë pjesë aktive, partnerë në projekt për njohjen e Rezolutës dhe zbatimin e saj në Shqipëri. Ky projekt vijon nismën e Shoqatës së Grave të mbështetur nga Ambasada e Hollandës në Tiranë për zbatimin e Rezolutës 1325, në qarqet Durrës, Korçë dhe Elbasan, duke e shtrirë projektin edhe në gjashtë qarqeve të tjera në vend.  

Pjesëmarrësit u njohën me projektin dhe rëndësinë e marrjes së hapave konkrete per vëniën në jetë të rezolutës 1325 edhe në vendin tonë. Gjatë prezantimit u theksua nevoja e hartimit të një Plani Kombëtar Veprimi për Rezolutën.

Përfaqësuesja e UN Women zyra për Shqipërinë, znj. Collette Donadio përshëndeti nismën e ndërmarrë nga shoqata, duke siguruar se do të monitorojë dhe mbështesë këtë fushatë informuese dhe advokuese që e marrë sëbashku dhe me projektin e ambasadës hollandeze, siguron një shtrirje territoriale thuajse në të gjithë vendin.  

Më tej, Annika Schabbauer, përfaqësuese e organizatës “Operation 1325”, solli shkurtimisht përvojën suedeze dhe të organizatës që përfaqëson, si pjesë e lëvizjes së gruas në nivel global. Ajo theksoi se paqja e qëndrueshme është e pamundur pa pjesëmarrjen e grave kështu që është e rëndësishme që të gjitha shtetet anëtare të OKB-së të punojnë në frymën e Rezolutës, duke u fokusuar në katër shtyllat bazë të saj, që kanë të bëjnë me rritjen e pjesëmarrjes së gruas në të gjitha nivelet e vendimmarrjes; mbrojtjen e grave dhe vajzave nga dhuna seksuale dhe gjinore; fuqizimin e gruas përmes përmirësimit të strategjive të ndërhyrjes dhe zbatimit të tyre në parandalimin e dhunës ndaj tyre, si dhe adresiminin e krizave ndërkombëtare nëpërmjet perspektivës gjinore.

Përfaqësues të ministrive pjesëmarrëse dhe shoqërisë civile ndanë në takim përvojat e tyre lidhur me punën e bërë në drejtim të integrimit gjinor, si dhe vështirësitë e hasura nga gratë për t’u ngjitur në karrierë në profesione që konsiderohen ende profesione burrash. Ndërkohë përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Policisë së Shtetit theksuan arritjet e siguruara për rritjen e pranisë së vajzave dhe grave në Forcat e Armatosura dhe Policinë e Shtetit, si dhe promovimin e tyre në karrierë.

Projekti për njohjen e Rezolutës 1325 “Gruaja, Paqja dhe Siguria” dhe nxitjen e hartimit të një Plan Veprimi Kombëtar në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes ka gjetur mbështetjen e aktorëve pjesëmarrës në këtë takim të parë që i paraprin aktiviteteve të shumta në të gjitha qarqet për të siguruar njohje dhe zbatim konkret të Rezolutës, së parë jo vetëm në këndvështrimin e sigurisë kombëtare, po dhe në atë shoqëror, familjar e individual.