Shoqata e Grave me Probleme Sociale (SHGPS) në bashkëpunim me Organizatën Suedeze Operation 1325 dhe me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Shqipëri, organizuan aktivitetet prezantuese të projektit për qarkun e Durrësit, në datat 17 dhe 18 Shkurt 2016, në “Sallën e Konferencave", Hotel Palace, Durrës. Në këto aktivitete morën pjesë në total 60 pjesëmarrës.

Ky projekt është një inisiativë e Shoqatës së Grave me Probleme Sociale dhe organizatës suedeze Operation 1325, mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve Ulta në Tiranë, i cili synon të sigurojë që të drejtat e grave, veçanërisht ato në fushën e paqes dhe sigurisë në Shqipëri mbrohen nga zbatimi i legjislacionit vendas dhe të huaj.

Projekti synon të rritë angazhimin e politikë-bërësve, të forcojë rolin advokues të shoqërisë civile, e të ndërgjegjësojë opinionin publik, për të përshpejtuar zbatimin e Rezolutës 1325 të Kombeve të Bashkuara, përmes përmirësimit të proçeseve, planeve të veprimit dhe mekanizmave monitorues. Kjo iniciativë do të fokusohet në mënyrë të vecantë në tre qarqe: Durrës, Elbasan dhe Korçë.

Në aktivitete mori pjesë dhe përfaqësuesja e shoqatës suedeze Operation 1325, partnere në këtë projekt, znj. Annika Schabbauer.

Ky aktivitet mblodhi në tryezë drejtues të lartë vendorë të qarqeve Durrës, Korçë dhe Elbasan, drejtues të institucioneve shtetërore dhe bashkëpunëtorë të shoqatës për të diskutuar mbi insiativën e ndërmarrë, rëndësinë dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga Rezoluta 1325 e Kombeve të Bashkuara. Pjesëmarrësit shqyrtuan mundësitë e koordinimit të aktiviteteve të planifikuara në kuadër të projektit, për të zgjeruar impaktin e kësaj inisiative.

Me datë 17 shkurt u zhvillua një darkë pune ku morën pjesë, deputetja e Esmeralda Shkjau, Shefi i Kabinetit të Këshillit të Qarkut Durrës Z. Arben Isaku, Sekretari i Pergjithshëm i Prefekturës Durrës Z. Shyqyri Ballgjini, Drejtoresha e Shërbimeve Sociale në Bashkinë Durrës Znj. Meme Xhaferraj, dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve vendore Durrës, përfaqësues të shoqërisë civile dhe media. Gjithashtu në këtë aktivitet mori pjesë dhe Kryetarja e Qarkut të Korçës, Znj. Ana Verushi, dhe këshilltari i Këshillit të Qarkut Korçe Z. Vangjush Dishnica.    

Në datë 18 shkurt u realizua “Sesion Informues: Rezoluta 1325” në të cilin morën pjesë përfaqësues të pushtetit vendor Durrës, Korçë dhe Elbasan. Qarku i Elbasanit u përfaqësua nga nënkryetarja e Këshillit të Qarkut dhe nënpunës të tjerë pranë këtij qarku. Gjithashtu  krahas të ftuarve nga qarqet Elbasan dhe Korcë, në takim ishin të ftuar aktorët lokal të Durrësit nga pushteti vendor, gjyqësori, policia, shëndetësia, shoqëria civile dhe media. Krahas lancimit të projektit, të ftuarit përmes punës në grupe analizuan situatën e gruas në kontekstin shqiptar, sa i përket cështjeve të sigurisë, mbrojtjes dhe të drejtave, duke evidentuar nevojat për përmirësim.

Aktiviteti u pasqyrua dhe në median lokale Adria Net dhe NTV.